Tri ndeshje dhe tri suksese siç nuk ndodh gjithmonë. Italia nuk është më ajo skuadër që me zor kalonte grupin, edhe kur fitonte tituj botërorë, ndërsa me trajnerin Roberto Mançini ka vendosur të thyejë rekorde. Të Kaltrit fituan edhe ndaj Uellsit, sërish në fushën e tyre në stadiumin “Olimpiko” të Romës, ndonëse me shifrat minimale 1-0. Mançini bëri 8 ndryshime në krahasim me formacionin që fitoi 3-0 ndaj Zvicrës, ndonëse Verrati mund të quhet rikthim titullari, jo aktivizim i një lojtari rezervë.
Italianët luajtën më mirë dhe e merituan suksesin, që u arrit me rrjetën e shënuar nga lojtari i Atalantës, Pesina, në minutën e 39-të. Mançini ka tani 30 rezultate pozitive radhazi, po aq sa rekordmeni legjendar Vitorio Poco, dy herë kampion i botës në vitet 30-të. Uellsi bëri më pak, por u mbajt edhe kur mbeti me 10 lojtarë, sepse Ampadu u përjashtua me të kuqe që në 55’. Britanikët arritën një tjetër sukses në Europian, ndonëse pretendimet janë të mëdha sepse në 2016 udhëtuan deri në gjysmëfinale.
Italia siguron vendin e parë në grup me 9 pikë të plota, ndërsa shorti mund të quhet i favorshëm për më tej, pasi mund të luajë në të tetat e finaleve me Ukrainën ose Austrinë. Në çerekfinale, pastaj do të ishet short i hekurt, me Belgjikën, ose Gjermaninë, Francën apo Portugalinë. Uellsi ia doli të kualifikohej direkt, si e dyta e grupit, duke pasur golaverazh më të mirë sesa Zvicra që mundi 3-1 Turqinë, +1 ndaj -1. Zviceranët mund të kalojnë turin si një nga 4 ekipet më të mirë të vendeve të treta, por do të varen nga rezultatet në grupet e tjerë, ndërsa kundër Turqisë shkëlqeu Xherdan Shaqiri autor i dy golave.
Sfidanti.al