Usain Bolt humb të artën olimpike për faj të shokut të ekipit!

Ka ndodhur shpesh që një atlet të humbasë një medalje të rëndësishme për shkak të përdorimit të dopingut, apo për shkak të ndonjë shkeljeje tjetër, por fatkeqësia e vërtetë është kur kjo ndodh kur nuk ke asnjë faj. Dhe kujt i ngjau? Vetë “lartësisë së tij”, Usain Boltit, kampionit absolut të sprintit në atletikë. Xhamajkani do të duhet të dorëzojë medaljen e tij të artë olimpike të stafetës 4×100 metra fituar në Pekin në vitin 2008, pasi një shoku i tij doli pozitiv për përdorim substance të ndaluar.

Ky shok është Nesta Karter, në atë kohë pjesë e katërshes kampione olimpike në Kinë. Ai u bë një nga 454 sportistët, të cilëve iu bë edhe një herë testimi antidoping, shtatë vjet pas Olimpiadës kineze. Xhamajka fitoi me kohën në atë kohë rekord botëror, 37”10, ndërsa Trinidad e Tobago doli i dyti, por tani mund të shpallet kampion.