Një rekord i ri pagese u arrit tek Liverpuli, me rastin e rinovimit të kontratës së Filip Kutinjo. Pavarësisht përdorimit të shpeshtë të fjalës “çmenduri”, kjo po vazhdon, me klubet të detyuar të rrezikojnë dhe të lëshojnë dorën për shkak të konkurrencës brenda Premier Ligës, por sidomos jashtë saj, me padronë miliarderë tek Paris SG apo në Kinë.
Kutinjo do të fitojë 200 000 stërlina në javë, me kontratën e re në “Anfild”, që do të thotë rreth 240 mijë euro në javë. Braziliani do të paguhet më shumë sesa Luis Suarez, kur ishte pjesë e të kuqve, ndërsa firma e tij vlen deri në vitin 2022. Mesfushori sulmues cilësohet si lojtari, ndoshta, më i mirë i skuadrës së trajnerit Klop, dhe besohet se për të kishte një interesim të fortë nga Barcelona, por mendohet edhe nga Reali i Madridit.