Luis Enrike na tregon “futbollistin total të së ardhmes”, Mesin!

Luis Enrike ka dy deklarata të forta për të bërë. Së pari, që Lionel Mesi është futbollisti që ai e quan “total”, dhe së dyti, që Lionel Mesi do të luajë në nivele shumë të larta edhe në të ardhmen, kur të jetë kaluar mjaft shifrën 30 të viteve të jetës. Trajneri i Barcelonës vëren një ndryshim të rëndësishëm në lojën e argjentinasit. Kjo, ndoshta, është pjesë e ndikimit tek futbollisti që ai të rinovojë kontratën (klubi thotë se bisedimet po ecin shumë mirë).

“Më parë, – tha ai, – Leo ishte golshënuesi thuajse i vetëm i yni, ndërsa tani ai ka ndryshuar duke u bërë një futbollist total. Nuk ka asnjë dyshim se evolucioni futbollistik i Mesit po ndodh, dhe se ky process po ndodh për shkak të pjekurisë që tani ka futbollisti”. “Ai, – vazhdon Luis Enrike, – është i aftë të bëjë gjithçka, në sulm e në mbrojtje. Ai është shumë inteligjent dhe do të kompensojë në të ardhmen rënien normale fizike”.

Mesi është golshënuesi i madh i botës në 8-9 vitet e fundit, duke qenë në konkurrencë të ashpër dhe shumë pranë në shifra me Kristiano Ronaldon. Ai mban rekordin e golave në La Liga me 50 në 2011-2012, ndërsa këtë edicion, edhe pse luan më prapa dyshes Suarez-Nejmar, sërish ka realizuar 15 herë në kampionat.