Pse kjo krizë e Lejkërsave, edhe me Lebronin e Dejvisin?!

Shpesh herë ia vendosim fajin moshës, por padyshim ndikojnë edhe dëmtimet dhe koha e gjatë që duhet për të marrë veten siç duhet. Kjo mund të shpjegojë faktin që Los Anxhelos Lejkërsat po vazhdojnë të humbasin ndeshjet në NBA, edhe duke pasur në parket dy yjet kryesorë. Lebron Xhejmsi luajti ndeshjen e dytë që pas dëmtimit, dhe Entoni Dejvis ka diçka më shumë në fushë, veçse edhe përballja ndaj Torontos u humb. U luajt në “Stejpëll Sentër”, pra në Los Anxhelos, por shifrat ishin 121-114 për miqtë. Ishte dueli i dy kampionëve të fundit të NBA-së, ndonëse Toronto e ka humbur liderin e mëparshëm, Kauai Leonardin. Këtë herë, më të mirët ishin Paskal Siakam me 39 pikë, 13 topa në tabela, 4 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokim gjuajtjesh, dhe Kajl Louri me 37 pikë e 11 asistë.

Lebron Xhejms shënoi 19 pikë, kapi 7 topa në tabela e pati 6 asistë, por e humbi 5 herë topin, ndërsa Dejvis shënoi vetëm 12 pikë, plus 9 topa në tabela e 7 asistë. Kajl Kuzma ishte më i miri për të vetët me 24 pikë. Toronto është në vendin e 11-të në Lindje, ndërsa Lejkërsat janë në vend të 7-të në Perëndim, me të njëjtin bilanc (36-28) me Dallasin (i pesti) dhe Portlendin (i 7-ti).

Sfidanti.al