Nuk është vetëm humbja, edhe pse ajo ishte e rëndë. Skuadra favorite e Konferencës Lindore në NBA pret lajme nga shëndeti i yllit të saj, Janis Antetokumbo, i cili pësoi një dëmtim që u duk serioz në ndeshjen e katërt finale të Konferencës ndaj Atlantës. Në Arenën e Atlantës, vendasit fituan 110-88, pra me 22 pikë epërsi, ndërsa Antetokumbo doli nga loja që në minutën e 25-të. Luajti vetëm 24 minuta e 4 sekonda, dhe u dëmtua në gju gjatë një prove për të bllokuar një gjuajtje të Klint Kapelës. Janisi doli nga loja me 14 pikë të shënuara, 8 topa në tabela e 3 asistë, ndërsa askush nuk ishte në gjendje ta përballonte mungesën e tij.
Frika është se Antetokumbo ka këputur ligamentin kryq të gjurit dhe atëherë ai nuk do të luante jo vetëm në ndeshjen e mbetura në finalet e Konferencës, por as në finalen e mundshme të NBA-së. Miluoki nuk përfitoi dot që për Atlantën nuk luajti ylli kryesor, Trej Jang i dëmtuar. Lou Uilliams shënoi 21 pikë, kapi 5 topa në tabela e dha 8 asistë, Bogdan Bogdanoviç shtoi 20 pikë, Kapela 15 pikë e 7 topa në tabela, Huerter e mbylli me 15 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë. Rezultati i serisë është i barabartë 2-2.
Sfidanti.al