Të jesh arbitër në ligën më elitare të basketbollit në botë nuk është fort keq. Honorari minimal për ndeshje është 1800 dollarë në pjesën e rregullt të sezonit, ndërsa honorari maksimal, kur abitron në finale, është afro 25 000 dollarë. Por që të përqëndohesh vetëm te ky “zanat”, duhet të kesh një grua shtëpie të mirë që duhet të mbikëqyrë punët e saj, pasi atë (arbitrin) shtëpia e sheh shumë pak kohë gjatë javës. Në botën e NBA-së, si shembull, mund të përmendim arbitrin Xhon Golb, 37 vjeç, që ka 10 vite në këtë profesion. Në pamje të parë, kjo punë, pra ajo e arbitrit në NBA, duket e lehtë, interesante, atraktive dhe e privilegjuar, pasi sheh nga afër, gjatë 48 minutave, më të mëdhenjtë e NBA-së amerikane.
Por, në fakt, nuk është fare kështu. E rëndësishme është që të përpiqesh që të jesh sa më i mirë në vlerësimet që jep në fushë, pasi vetëm ato mund ta çojnë atë në fazën play off, ku janë edhe paratë më të mëdha. Nëse të ikën nga dora një pjesë e sezonit, për shkak të ndonjë dëmtimi ose se nuk ke përmbushur kriteret, atëherë, që në mes të prillit, do të rrish në shtëpi pa punë. “Ne duam që të jemi sa më të përsosur, por, për shkak të shpejtësisë, me të cilin zhvillohet ky sport, e dimë se bëjmë gabime.
Në fund të fundit, edhe ne jemi njerëz. Që të bësh një punë të tillë, duhet të sakrifikosh shumë. Unë kam grua dhe dy fëmijë, 8 dhe 11 vjeç, por, në pjesën me të madhe të sezonit, unë nuk i shoh ata, kështu që nuk duhet që të bësh sakrifica vetëm ti, por edhe familja”, thotë Xhoni. Pjesë përbërëse e punës se një arbitri të NBA-së janë udhëtimet e vazhdueshme me aeroplan. “Zakonisht, ne arbitrojmë tre-katër ndeshje në javë. Në qytetin përkatës, ku unë do të arbitroj ndeshjen e caktuar, duhet të jem një ditë para dhe, në rast, se brenda një dite kam dy ndeshje për të gjykuar, atëherë, më duhet që t’i hip avionit që pa dalë dielli mirë. Sapo arrij në qytetin e caktuar, filloi që të përgatitem për ndeshjen dhe të analizoj vendimet e arbitrit të ndeshjes së mëparshme. Qëllimi është që të mësoj nga gabimet e të tjerëve. Një punë tjetër e rëndësishme është përgatitja fizike që të ndihmon dhe të lejon që ti të jesh, vazhdimisht, në pozicionin e duhur që ta ndjekësh nga afër ndeshjen, ndërkohë që duhet t’u shmangesh edhe përplasjeve fizike eventuale në fushë, që të mos pësosh ndonjë dëmtim eventual”, tregon Xhoni.
sfidanti.al