Nadal kalon dëmtimin dhe Shvarcmanin, por a e fiton dot US Openin?

Nga të ashtuquajturit “tre mosketierët” ka mbetur vetëm ai. Rafael Nadal nuk e la pa një pretendent të madh Grand Slemin e US Openit, dhe kaloi në gjysmëfinale, në emër edhe të të eleminuarve të shquar si Novak Gjokoviç e Rozher Federer. Tenisti spanjoll, numri 2 i botës që mund të bëhet numri 1 javën e ardhshme, kaloi në tre sete argjentinasin Diego Shvarcman, në një ndeshje që ishte shumë më e vështirë sesa e tregon rezultati.

Nadali triumfoi 6-4, 7-5 e 6-2, duke vuajtur në dy setet e parë, dhe sidomos duke pasur shqetësime të mëdha fizike. Në Arenën “Arthër Ejsh” të Nju Jorkut u krijua përshtypja se 33-vjeçari po pësonte fatin e Gjokoviçit, diçka që e pohoi edhe vetë spanjolli. “Problemet fizike të Nadalit që na bënë të dridheshim, – theksoi më pas, gazeta “Marka”, – kampioni pranon se kaloi momente shumë të vështira”.

Duket se në setin e tretë, 18 herë fituesi i Grand Slemeve u ndje më mirë dhe fitoi me lehtë. Shvarcmani luajti mirë dhe shpesh pati në krah publikun, por gjithsesi mbeti pa asnjë fitore ndaj legjendës spanjolle, me të cilin i ka humbur të 8 ndeshjet e luajtura. Në gjysmëfinale, Nadal do të ndeshte me italianin Mateo Berretini, që kaloi në 5 sete francezin Monfil.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, – deklaroi fituesi, – dhimbjet në momente të caktuara ishin të mëdha, dhe pata frikë më të keqen. Për fat, me ndihmën e masazheve ia dola dhe mund të mendoj për të fituar këtë Grand Slem. Ndaj Berretinit nuk do të jetë e lehtë, pasi italiani ka bërë hapa gjigandë përpara, kohët e fundit”. Gjysmëfinalja tjetër ka përballë rusin Medvedev dhe bullgarin Dimitrov.

Sfidanti.al