Miluouki mundi San Antonio, në Perëndin kryeson Denver

Miluoki nuk zhgënjen në ndeshjen që e konsolidon në vendin e parë të Konferencës së Lindjes. Baks dominuan në fitoren e thellë 130-94 në dëm të San Antonios. Spërs nuk arritën të rezistojnë përballë paraqitjes spektakolare të Janis Atentokoumpo që shënoi 31 pikë dhe u shpall sërish si “MVP” i ndeshjes.  Me këtë sukses, Miluoki thuajse blindon kreun në Lindje, duke lënë pas me dy ndeshje e gjysmë rivalët direktë të Boston Sëlltiks. Në vendin e tretë në këtë Konferencë vazhdon të qëndrojë Filadelfia, që në ndeshjen e fundit mundi po me lehtësi 116-91 Çikago Bulls. Pas asaj sfide që ktheu në mendje kohët e lavdishme, “Demat” ranë pa kushte. Megjithëse Xhoel Embid la parketin i dëmtuar, pas 12 pikëve të shënuar, loja e basketbollistëve të tjerë si Melton dhe Herris i dhuruan fitoren Filadelfias.

Sfidanti.al