Kontributi i tij natyrisht që nuk kalon pa rënë në sy. Jo më kot Myrto Uzuni është shënuesi më i mirë i kampionatit, dhe është gjithashtu shtysa kryesore që Granada është pranë ngjitjes në La Ligë. Pasi shënoi 3 gola e shërbeu 1 asist në tri ndeshje, sulmuesi shqiptar u përzgjodh për të garuar për çmimin e Lojtarit të Muajit në Ligën e Dytë të Spanjës. Këtë e lajmëroi faqja zyrtare e kësaj lige, ndërsa bashkë me Uzunin në konkurrim janë Hon Bautista i Eibarit dhe Raul Garsia i Mirandesit.
Futbollisti beratas shënoi ndaj Burgosit, Ponferradinës dhe Albasetes, duke kontribuar në dy fitore dhe një barazim për Granadën. Ai kryeson renditjen e Këpucës së Artë me 20 gola, i shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Granada ndërkaq është në vendin e dytë në klasifikim, pra në zonën që të ngjit automatikisht në La Ligë. Për fat të keq, ekipi i tij nuk do ta ketë Uzunin në dy sfidat e radhës në kampionat, pikërisht në shtëpi ndaj Oviedos dhe në fushën e Sportingut të Gihonit, sepse është i grumbulluar në kombëtare për sfidën eliminatore të Europianit ndaj Polonisë në Varshavë në 27 mars.
Sfidanti.al