Miluoki i Adetokumbos është një skuadër, Bruklini i Durantit ende jo

Kampionët u vunë përballë me sfidantët më të fortë të tyre të sezonit të kaluar (edhe pse jo me finalistët e NBA-së), dhe fituan të parët. Miluoki Baks e nisi me sukses sezonin e ri të basketbollit amerikan duke thyer Bruklinin madje në Nju Jork, ndërsa Janis Adetokumbo i tregoi Kevin Durantit se mbetet ai “mbreti” i lojës. Të dy yjet dhanë një paraqitje shumë të mirë dhe shënuan nga 32 pikë, por Miluoki ishte një ekip i vërtetë, më shumë me “brumë” dhe lidhje mes lojtarëve sesa me emra të mëdhenj. Adetokumbo shënoi 32 pikë, kapi 17 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 2 gjuajtje, ndërsa e humbi topin 4 herë. Ai mori vlerësimin e lartë 25, më të mirin e ndeshjes, ndonëse shokët e tij si Grejson Alen dhe Kris Midëlton nuk ishin shumë prapa. Midëltoni shtoi 20 pikë dhe 9 topa në tabela, Konauton realizoi 20, ndërsa kampionët mundën Bruklinin vendas me shifrat bindëse 127-104 duke mos e diskutuar fare fitoren. Duranti nuk luajti aq mirë në mbrojtje, ndryshe nga Adetokumbo, ndërsa pati 11 topa në tabela e 4 asistë. Xhejms Harden realizoi 20 me 8 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa u ndje mungesa e Kajri Irvingut, të përjashtuar për shkak se nuk dëshiron të bëjë vaksinën kundër Kovidit.

Sfidanti.al