Juventusi është kryevepër difensive, por Alegri nuk do vetëm 1-0!

Pak ditë më parë portieri polak, Shezni, e tha si kompliment se “Zonja e Vjetër” është kthyer në një ekip minimalist që luan për një fitore dhe vetëm kaq, diçka që u vërtetua në ndeshjen e Championsit në fushën e Zenitit. Juventusi fitoi në Shën Peterburg të Rusisë, në një klimë të acartë dhe me borë, falë golit të shënuar në fund nga Dejan Kulushevski, ndërsa torinezët mund të përgatiten tani për sfidën ndaj Interit në Serinë A. Sfida në Rusi ishte një kryevepër tjetër mbrojtëse e italianëve, që nuk pësuan gol dhe që kryesojnë grupin me pikë të plota 9, duke shënuar për të dytën herë radhazi nga një gol për fitoren.

Trajneri Masimiliano Alegri, dëshiron më shumë se kaq. “Rezultati ishte shumë i rëndësishëm dhe vlen shumë që sërish nuk pësuam gol, – thotë ai, – por duhet që të përmirësohemi shumë. Duhet të jemi më të qartë në fazën e zotërimit të topit dhe kur i afrohemi zonës kundërshtare. Pas 15 ditësh mund të vendoset kualifikimi, por nuk bëmë një ndeshje shumë të mirë, ishim të ngadalshëm”.

Sfidanti.al