Komentet janë që ndryshimet në skuadër këtë sezon kanë sjellë forcën e duhur. Përveç më të mirëve si Janis Antetokumbo apo Kris Midëllton, Miluoki kishte nevojë për alternativa të besueshme dhe të shumta e duket se tani i ka. Falë kësaj organike të zgjeruar, Baksat morën kryesimin 2-0 në serinë e raundit të parë të plej ofit në NBA ndaj Majemit. Fitorja ishte e madhe, 132-98, pra me diferencë të thellë, dhe madje nuk u desh që ndonjëri prej yjeve të mbingarkohej.
Antetokumbo madje as nuk u lodh më shumë sesa duhet duke qenë në parket më pak se 31 minuta, por kjo i mjaftoi që të shënonte 31 pikë, të kapte 13 topa në tabela e të shërbente 6 asistë, plus 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Në krah tij ishin të tjerët si Midëllton me 17 pikë, Forbs me 22, Holidei me 11 pikë, 7 topa në tabela e 15 asistë, Konauton me 15 apo Portis me 11 pikë.
Tek Majemi nuk pati shumë për të lavdëruar këtë herë, madje më mirë ishin lojtarët e stolit si Dedmon dhe Dragiç. Xhimi Batler shënoi vetëm 10 pikë i mbuluar fort, Adebajo shtoi 16 dhe Robinson po 10. Ndeshja e tretë luhet në Majemi dhe Adebajo thotë se “ne nuk kemi nevojë për qortime, sepse jemi burra të rritur dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë”.
Sfidanti.al