Ky kampionat po përfundon ashtu siç ishte edhe projektuar, me shumë ironi dhe të pavërteta. E vetmja gjë që pati më pak rëndësi ishte loja e fushës, që u trajtua sërish me përbuzje, gjë që u vu re që nga hartimi i kalendarit, vetëm për të hequr qafe produktin, pas atij bojkoti që u sajua për leverdi vetëm të njerëzve të zyrave. Ndërkohë që vjen dita e finishit edhe ironia bëhet më spektakolare. Në një njoftim të fundit, Komiteti Ekzekutiv I FSHF-së ka vendosur që të bëhen gati tre ceremoni për t’u zhvilluar, pasi sipas shefave, në këtë edicion ekzemplar janë ende në garë katër kampionë. Ndërkohë që lajmërohet mes emocionesh të mëdha, se presidenti Duka do të jetë në kohë reale në Ballsh, Durrës, apo Shkodër, ku të jetë e nevojshme prezenca e tij për dorëzimin e trofeut. Pra askush nuk di asgjë për përfundimin e garës dhe këtë teatër të hareshëm që duan ta shijojnë deri në minutën e fundit e kanë mbushur me doza të forta misteri. Kështu që zyrtarët e lartë të FSHF-së, të cilët përgjigjen për përgatitjet e ceremonive festive do të jenë të shpërndarë në tre qytete, ndërsa vetë Duka do të duhet t’i shtojë flotës së tij të transportit edhe një helikopter, ashtu si dikur kajzeri tjetër i Europës, Bekembaur, gjatë Botërorit të shtëpisë së tij.
Përsa i përket Partizanin, i duhet të kënaqet me faktin që po e joshin moralisht, duke i bërë të ditur se e kanë klasifikuar ende si pretendente, por tashmë është vetëm kampionia e mundëshme e Ballshit. Ndërsa më keq nga të gjithë në kampin e kuq i ka punët trajneri Ilir Daja, i cili është në prag të një dënimi për agjitacion e propagandë. Dje i shpëtoi goja e tha, se edhe nëse nuk do të kishte ndodhur gjatë ndeshjes ndaj Vllaznisë në stadiumin Kombëtar, sigurisht që do t’i ndodhte në Ballsh. Pra Iliri e paska ditur se për ku duhet të udhëtojë sot Duka, ndërkohë që tipa si Enea Jorgji janë i vetmi element befasie e këtij kampionati, madje i të gjitha kampionateve të viteve të fundit.