Manovrat e mëdha të Barcelonës, nga Vajnaldumi tek De Ligti!

Nuk dihet nëse mund t’ia dalë, edhe pse përpjekjet do t’i bëjë deri në fund. Barcelona sipas të gjitha gjasave do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Gini Vajnaldumin, mesfushorin që mbylli karrierën me Liverpulin dhe tani është lojtar i lirë. Vajnaldum ishte një i preferuar i trajnerit Ronald Kuman që verën e kaluar, por gjendja financiare e katalanasve ishte “përtokë”, plus që presidenti Bartomeu kishte edhe halle të tjera. Vajnaldum, që u përcoll me lavdi nga të kuqtë, nuk do të shkojë tek Bajerni, por në “Kamp Nou”. Mesfusha forcohet mirë me të, ndërsa Pjaniç nuk “ndezi” dhe para tij, Artur nuk doli “i hajrit”.

Presidenti Laporta, që sipas asaj që shihet nuk do ta mbajë trajnerin Kuman, pritet të synojë forcimin e mbrojtjes e cila ishte shumë e dobët këtë sezon me Pikenë, Lenglenë dhe Ymtitinë. Që të gjithë lojtarë që e kanë kaluar kulmin e formës, dhe një kandidaturë është ajo e De Ligtit. Holandezi refuzoi Barcelonën dy vjet më parë, duke pranuar 8 milionë euro rrogë tek Juventusi, dhe duke pasur frikë se me Pikenë në ekip nuk do të luante në “Kamp Nou”. Gjendja sot ka ndryshuar, aq më tepër që Laporta ka raporte të mira me agjentin e holandezit, Raiolën, siç u pa kur ai udhëtoi në Barcelonë për të folur për Halandin. Të shohim nëse do t’ia dalin.

Sfidanti.al