Transferimi nuk ka ndodhur ende, por jepet gjë e vendosur dhe e mbaruar. Liverpuli do të marrë mbrojtësin e qendrës së Lajpcigut, Ibrahima Konate, për një shumë prej rreth 46 milionë eurosh (40 milionë paundë stërlina sipas mediave angleze), për të forcuar repartin që u zbulua keqaz gjatë sezonit që po mbyllet. Trajneri Jurgen Klop fillimisht nuk ishte dakord me një çmim të tillë, por u mendua dhe gjykoi se mbrojtësi turk Ozan Kabak, i marrë hua nga Shalke, nuk ia plotësonte kërkesat që kishte. Kabaku 20-vjeçar ka klauzolë më të ulët, ndoshta 20 milionë euro, por mund të kalojë pikërisht tek Lajpcigu tani që Shalke ra nga kategoria. Konate është 22 vjeç dhe ka luajtur 21 herë për Lajpcigun këtë sezon. Liverpuli, ndërkaq, pati dëmtimin e trefishtë afatgjatë të qendrës së mbrojtjes, Van Dajk-Gomez-Matip, duke pësuar një krizë të vërtetë që nuk e lejoi të konkurronte për titull me Mançester Sitin.
Sfidanti.al