Çdo vit ka qenë një karusel i vërtetë dhe nuk do të ketë përjashtim. Shumë lëvizje trajnerësh priten në Superligën shqiptare, dhe gjithçka pritet të fillojë me përfundimin e sezonit, si dhe pas finales së Kupës. Disa nga klubet kryesorë janë duke diskutuar mundësinë e afrimit të teknikëve të tjerë, sipas burimeve pranë tyre. Kukësi nuk pritet të vazhdojë me Mirel Josën, ndërsa ekipi ka qenë një zhgënjim i vërtetë këtë edicion, duke e përfunduar kampionatin në vendin e 6-të.
Tek Tirana po ashtu mund të zgjedhin alternativë tjetër. Që pas largimit të Emanuel Egbosë, kampionët e vitit të kaluar nuk kanë gjetur stabilitet duke provuar më parë ish-kapitenin e tyre Nevil Dede dhe duke vazhduar me Orges Shehin. Presidenti Halili me gjasë nuk e ka ndarë mendjen, por nuk përjashtohet ndryshimi, sidomos me pozicionin ku ndodhet ekipi në vendin e 5-të, jashtë kupave të Europës.
Laçi nuk duket të ketë probleme me Shpëtim Duron, edhe pse normalisht nuk u arrit objektivi titull. Ekipi është në Europë, sipas standardeve të viteve të fundit, por këto kohë është folur për një kalim të Duros tek Dinamo si drejtor teknik.
Tek Vllaznia, Tomas Brdariç duket i sigurt pas një sezoni vërtet shumë të mirë, dhe ku shkodranët ende pretendojnë për titullin, si dhe janë në finalen e Kupës. Nëse përfundimi mund të jetë negativ mund të ketë mendime për ndryshim, ndonëse duket e vështirë që sponsori Alban Xhaferi të mos i besojë gjermanit për në kupat europiane. Skënderbeu, ndërkaq, ka konfirmuar Migen Memellin, trajnerin që mund të ishte kandidat për Tiranën, Kukësin apo ndonjë ekip tjetër.
Dy trajnerë të sigurt për vazhdimësinë janë Edi Martini tek Teuta dhe Ilir Daja tek Partizani, të paktën siç janë gjërat tani për tani. Durrsakët janë favoritë 99 për qind për titullin, ndërsa të kuqtë kanë krijuar stabilitet në krahasim me sezonin e kaluar duke u kthye në Europë. Nga ekipet që u ngjitën në Superligë, Egnatia e Rrogozhinës do të mbajë trajnerin Gugash Magani, ndërsa nga Dinamo u largua Olsi Uku dhe sipas burimeve në klub, njeriu i ri i stolit do të jetë Bledi Shkëmbi.
Sfidanti.al