Luka Donçiç nxjerr Realin gjallë nga “ferri” i Stambollit

Mori një vlerësim me notë 37, diçka që ndodh tepër rrallë në Euroligë. Luka Donçiç, në të vërtetë, mori vlerësimin e dytë më të lartë të të gjitha kohëve në kompeticion, por e meritoi plotësisht me fitoren që i siguroi Realit në fushën e kampiones në fuqi të Europës, Fenerbahçe. Talenti 18-vjeçar nga Sllovenia shënoi 20 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, si dhe bllokoi dy gjuajtje të kundërshtarëve, statistika prej NBA-je 48-minutëshe, jo prej Eurolige 40 minutëshe ku mbrojtjet dominojnë ndaj sulmit.

Reali fitoi 79-77, një sukses që gazeta “Marka” e quan tepër të rëndësishëm për faktin se publiku ishte i jashtëzakonshëm në përkrahje të Fenerbahçes, me plot 13 000 fanatikë që brohoritën gjatë gjithë kohës. Po ashtu, “Marka” theksoi se arbitrimi ishte shumë i keq në dëm të Realit. Kjo nuk e pengoi Luka Donçiçin të bënte një tjetër mrekulli dhe të hidhte një tjetër hap drejt NBA-së.

Sfidanti.al