Nuk është pak kur vetë faqja zyrtare e NBA-së të cilëson si “Budën e basketbollit”. Flitet për Luka Donçiçin, sllovenin 21-vjeçar që po pushton basketbollin amerikan me talentin dhe bukurinë e tij fizike, ndërsa shkruajti një tjetër faqe historie. Në fitoren dramatike 135-133, të Dallasit ndaj Klipersave, Donçiç u bë i pari lojtar i NBA-së në të gjitha kohët që shënon 43 pikë, kap 17 topa në tabela e shërben 13 asistë në një ndeshje të plej ofit.
Ai u bë i treti lojtar në histori, pas Uilt Çembërlenit dhe Çarls Barklit që arrin mbi 40 pikë, mbi 15 topa në tabela dhe mbi 10 asistë në plej of. Trajneri i tij, Karlajsël, thotë se ylli i tij është si një kompjuter, që e lexon ndeshjen përpara të tjerëve, dhe mendja e tij punon, jo me 5G, por me 6G. Komplimente të mëdhenj për një 21-vjeçar, që luan në një ligë me Lebron Xhejmsin, Janis Antetokumbon, Xhejms Hardenin apo Kevin Durantin, por që po shkëlqen edhe krah tyre.
Falë shpërthimit të sllovenit, Dallasi barazoi serinë e plej ofit në 2-2 ndaj Klipersave favoritë, që dolën në vend të dytë në Konferencën Perëndimore. Kjo, edhe në mungesë të qendrës letoneze Porzingis, që ishte i dëmtuar. Vetë Donçiç pati probleme me kaviljen, por u duk se i kishte kaluar, sepse fizikisht ishte në kulm.
Edhe pse Klipersat ishin 21 pikë përpara, Dallasi realizoi një përmbysje të madhe, që gjithsesi nuk do të kishte ndodhur pa 21-vjeçarin. Kur duheshin edhe 3.7 sekonda, Donçiç mori topin dhe gjuajti saktë nga shumë larg për tri pikë duke fituar ndeshjen. Siç thonë në NBA, është ende herët që ai të quhet një legjendë, por ajo që po bën është padyshim legjendare.
Sfidanti.al