Zvezda në Tiranë “si kokrra e mollës”, në Serbi ka nga ata që presin provokime “shiptarësh”!

Udhëtimi ishte i shkurtër, aq sa mund të mbajë nga Beogradi në Tiranë. Kampionia e Serbisë, Crvena Zvezda, mbërriti këtë mesditë në kryeqytetin e Shqipërisë, për ndeshjen e e Ligës së Kampionëve ndaj Tiranës. Pas udhëtimit me masa të forta sigurie, skuadra beogradase u vendos në hotelin “Plaza” në qendër të Tiranës, padyshim në një distancë të shkurtër nga “Arena Air Albania”, ku do të luhet këtë të martë në orën 20:00 ndeshja e turit të dytë eleminator. Zvezda nuk pati me vete kameramanë, por vetëm një gazetar të së përditshmes “Veçernje Novosti” që postoi një video të filmuar me celular. Futbollistët serbë i kanë bërë testet për koronavirusin ditën e diel në Beograd, ashtu siç i bënë edhe lojtarët e Tiranës, dhe deri tani gjithçka ka qenë pa probleme, me përgjigje negative.

Gjithsesi, në Serbi ka shqetësime lidhur me atë që mund t’i ndodhë Zvezdës në Shqipëri, para, gjatë apo pas ndeshjes. Për këtë, gazeta kryesore sportive “Sportski Zhurnal” ka folur me drejtorin e Tiranës, Arbi Laçi, i cili ka theksuar se për shqiptarët kjo ndeshje është vetëm futboll. Gjithsesi, në media bulevardeske, skandalistike, e padyshim edhe nacionaliste, janë transmetuar emisione lidhur me temën e sigurisë, ku mjaft nga të ftuarit kanë folur keq për shqiptarët.

Në emisionin e mëngjesit të televizionit “Hepi”, një nga të ftuarit i quajti shqiptarët frikacakë e burracakë, një tjetër deklaroi se problemet i pret nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa një i tretë deklaroi se nuk pret asnjë rrezik, dhe se në Shqipëri e ka kaluar mirë, dhe se aktualisht në plazhet shqiptare janë mbi 1 300 pushues serbë. Disa muaj më parë, vetë Crvena Zvezda pati një incident në kufirin e Serbisë me Kosovën, sepse deshi të luante miqësore me ekipin e Trepçes, dhe nuk u lejua të kalonte doganën nga autoritetet e Kosovës.

Sfidanti.al