Partizani shkon në Ohër për të harruar miqësoret negative, trajneri Daja me “dhimbje koke”!

Përgatitjet në Shqipëri morën fund, por jo puna për sezonin e ri. Partizani vendosi të shkonte në Ohër të Maqedonisë së Veriut për t’u bërë edhe më shumë gati për një edicion të Superligës dhe të Kupës së Shqipërisë që pritet të jetë i vështirë. Pavarësisht ardhjes së trajnerit Ilir Daja, ish-kampionët ende nuk mundin që të marrin përforcime pasi FIFA i ka bllokuar transferimet për shkak të rastit Çinari.

Gjithsesi, Daja beson se në Ohër do të ketë mundësi të punojë siç duhet me futbollistët e tij, edhe pse ekipi ka mungesa, dhe disa prej futbollistëve janë larguar, si Trashi, Telushi apo Hakaj. Gjithsesi, me skuadrën janë bashkuar Mala, Braun, Melo, dhe po ashtu edhe sulmuesi Jasir Asani, që ishte pjesë e AIK-ut në Suedi në fazën e dytë të sezonit të kaluar. Po ashtu janë kapiteni Hoxha dhe sulmuesi Çinari. Nuk dihet nëse Asani do të mbetet tek Partizani, sepse ka mundësi të shkojë në Turqi tek Sivaspori. Kryeqytetasit pritet të qendrojnë rreth 10 ditë në Ohër, për t’u kthyer pastaj në Shqipëri, sepse në 12 shtator pritet fillimi i sezonit të ri të Superligës.

Sfidanti.al