Luka Donçiç, gradualisht po kap ritmin në kampionatin më të fortë në botë, NBA, dhe po tregon kualitete që më parë e bënë atë një nga basketbollistët më të mirë në Evropë. Në ndeshjen e fundit të NBA-së amerikane kundër ekipit LA Lejkers që u luajt në “Staple Center”, ku ekipi i tij Dalllas Maveriks humbi 114-113, ky basketbollist slloven që akoma nuk ka mbushur 20 vjeç dhe që në përbërje të Sllovenisë doli kampion Evropë, pati rastin të njihej personalisht me basketbollistin më të mirë të kohës sotme në botë, Lebron Xhejms.
Në ndeshjen e lartpërmendur Donçiçi shënoi 14 pikë, dha shtatë asistenca dhe bëri pesë kërcime, ndërkohë që atë e entuziazmoi fakti se ai luajti “krah për krah” me “mbretin Xhejms”. Mbas përfundimit të ndeshjes, ky basketbollist slloven mori si dhuratë bluzën e Lebron Xhejmsit, të nënshkruar personalisht nga ai, ndërsa u pa qartë se ai ishte shumë i lumtur nga dhurata që iu bë.
Sfidanti.al