Nuk janë saktësisht e njëjta gjë si dyshja e dikurshme e San Antonios, Dejvid Robinson-Tim Dankën, por gjithsesi i afrohen. Entoni Dejvis dhe Lebron Xhejms kanë krijuar një partneritet fitues tek Lejkërsat dhe këtë e tregon klasifikimi i Konferencës Perëndimore, e tregoi edhe ndeshja ndaj Filadelfias. Këtë herë ishte Dejvisi që udhëhoqi, të paktën për pikët e shënuara, me 37 të tilla, në fitoren 120-107. Kuptohet ndaj një rivali pa yllin kryesor ishte më e lehtë, por asnjëherë nuk është e thjeshtë të fitosh 47 ndeshje në NBA e të humbasësh vetëm 13.
Dejvis shtoi edhe 13 topa në tabela, si dhe pati 2 asistë, 4 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, me një paraqitje thuajse të përsosur. Jo më kot realizoi 13 nga 19 gjuajtjet e lojës, madje 4 nga 5 për tri pikë. Lojtari qendër humbi vetëm një gjuajtje të lirë (7-8). Lebroni e bëri të vetën, edhe pse paksa i frenuar. Shënoi 22 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 14 asistë, që është edhe specialiteti i tij.
Sfidanti.al