Quhet Zarbryken (Saarbruecken), që do të thotë Ura në Sarrë, dhe hyri në historinë e futbollit gjerman duke u bërë skuadra e parë e kategorisë së katërt që arrin gjysmëfinalen e Kupës. Nën udhëheqjen e portierit Daniel Bac, skuadra “regionaliste” (siç i quajnë në Gjermani) eleminoi Fortunën e Dyseldorfit, pra ekipin e Bundesligës, pas gjuajtjes së penalltive. Portieri Bac priti 5 penallti, një gjatë lojës së rregullt, dhe 4 në seancën e 11-metërshave. Dy herë Dyseldorfi mund të ishte kualifikuar, por dy herë Baci i priti penalltitë.
“Berlini është vetëm një hap larg, – tha ai pas ndeshjes, duke iu referuar finales së mundshme, – edhe një ndeshje. Ju e patë sonte që gjithçka është e mundur. Le të na bjerë në short cili të jetë, ne jemi në gjysmëfinale dhe kjo është historike. Ne ishim të jashtëzakonshëm, komplimente djemveqë u mbajtën deri në fund”. E sigurt është që Zarbrykeni do të luajë sërish në stadiumin e tij, ndërsa në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Bajerni i Mynihut. Sonte janë dy ndeshjet e tjera, Leverkusen-Union Berlin (18:30) dhe Ajntraht Frankfurt-Verder Bremen (20:45).
Sfidanti.al