Një tjetër disfatë dhe një tjetër trofe i rrëshqitur nga duart. Jo, ky Liverpul nuk mund të matet me Mançester Sitin për të fituar çdo gjë që i del përpara, ndërsa momenti i vështirë tani u bë 4 ndeshje, me tri humbje e vetëm 1 fitore. Eleminimi nga Kupa e Anglisë, pas ndeshjes së të tetave të finaleve në fushën e Çelsit ishte vetëm ngjarja e fundit negative. Në 4 ndeshje, Liverpuli ka pësuar 8 gola, dhe në 3 prej këtyre ndeshjeve nuk ka arritur të shënojë. Le t’i kujtojmë: 0-1 me Atletikon, 3-2 me Uest Hemin, 0-3 me Uatfordin, 0-2 me Çelsin.
“Shqetësimi im më i madh ka të bëjë me mbrojtjen, – pranoi Klopi, – të pësosh kaq shumë gola nuk është gjë e mirë. Përsa i përket paraqitjes, në Uatford luajtëm vërtet shumë keq, por këtë herë ndaj Çelsit ishte ndryshe. Ne luajtëm me ritëm të lartë, ndërsa bëmë 7 ndryshime në formacion. Ndryshimet i bëra për të pasur ritmin e duhur dhe kjo ndodhi, ndaj nuk jam aspak i shqetësuar nga humbja me Çelsin”. Gjithsesi, shqetësimi kryesor është nëse Liverpuli do të jetë në formën e duhur për t’u kualifikuar ndaj Atletikos në Champions!
Sfidanti.al