Lotar Mateusi qorton Bajernin për vonesën me Hansi Flikun

Mediat gjermane me shaka shkruajnë se trajneri i bavarezëve ende nuk e ka përdorur stilolapsin e dhuruar nga shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige. Kjo është një lloj kritike e hollë për drejtuesit në Mynih që ende nuk janë bindur për t’i dhënë Hansi Flikut rolin e trajnerit të përhershëm. Një kritikë të tillë e bën edhe legjenda bavareze, Lotar Mateus, gjithashtu ish-lojtar i Borusias së Mynshengladbahut apo edhe Interit të Milanos.

“Mendoj se Bajerni nuk duhet të presë fundin e sezoni për kontratën, – shkruajti ai në rolin e analistit, – skuadra edhe mund të mos e fitojë titullin, edhe mund të eleminohet në Champions, por trajnerit i duhen dhënë kontrata më parë”. Ai e vlerësoi Flikun si njeriun e duhur, pasi ka krijuar një Bajern të bashkuar dhe pa polemika, gjithashtu duke dalë nga vendi i 7-të në vendin e parë të Bundesligës, e duke fituar 3-0 në fushën e Çelsit në Champions. Përveç kësaj, duke luajtur futboll të bukur dhe dominues. Mateus sheh vetëm një alternativë për Flikun, dhe ky është Tomas Tuhel i PSG-së, ndonëse nuk është i sigurt nëse do të ishte po aq i përshtatshëm sa trajneri aktual.

Sfidanti.al