Hokeistët rusë e kënduan himnin e tyre, megjithëse të ndaluar!

Rusia mundi 4-3, në një ndeshje sa spektakolare, aq edhe dramatike, me shtesë loje dhe “golden gol”, Gjermaninë në ndeshjen finale të turneut të hokeit mbi akull, duke fituar, kështu, medaljen e artë. Ajo që bëri përshtypje gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve, ishte se u dëgjua himni rus, megjithëse ishte ndaluar, që u këndua me shpirt dhe entuziazëm nga hokeistët rusë.

Për shkak të skandalit të dopingut në Lojrat Olimpike Dimërore të Soçit (Rusi), katër vite më parë, në lojrat dimërore të tanishme sportistët rusë morën pjesë nën emërtimin OAR (Sportistët Olimpikë nga Rusia), po pa të drejtë që të mbanin  emblemën e logon e Rusisë, si edhe flamurin e vet kombëtar, ndërkohë që u ndalua edhe intonimi i himnit rus, në rast të fitimit të medaljes së artë. Himni rus u zëvendësua me himnin olimpik.

Kështu që, gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve mbas përfundimit të turneut të hokeit mbi akull, u krijua një situatë e pazakontë. Ndërsa në sfond, nga mbrapa, dëgjohej himni olimpik, hokeistët rusë këndonin himnin e tyre bashkë me tifozët rusë që ndodheshin në pallatin e sportit.

Sfidanti.al