Hjustoni nuk është vetëm Hardeni, Uestbruku e ndihmon në Toronto!

Mbrojtja vendase ishte e ashpër ndaj “Mjekrës”. Kampionët në fuqi të NBA-së, në formë shumë të mirë së fundmi, bënë maksimumin që Xhejms Hardeni të mos ishte vetvetja, dhe që Hjustoni të mos kalonte në Toronto. Nuk ia arritën qëllimit, edhe sepse kapiteni mik e mori veten me kalimin e minutave, por edhe sepse pati në krah Rasëll Uestbrukun. Dhe jo vetëm të ardhurin nga Oklahoma, por edhe Meklemorin, Takerin apo Hauzin.

Vetë Harden arriti në 23 pikë, pak për standardet e tij aq më shumë që luajti 40 minuta. Sidoqoftë, “Mjekra” shtoi 7 topa në tabela, 3 asistë, 5 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Jo keq, kur luan në fushën e Torontos. Uestbruk shpërdoroi shumë, me vetëm 7 realizime në 27 gjuajtje, dhe me asnjë tripikësh të realizuar në 6 prova. Sidoqoftë, tripëll dabëlli e bëri të rëndësishëm pasi pati 19 pikë, 13 topa në tabela e 11 asistë. Meklemor realizoi 28 pikë, Taker 18 dhe Hauz edhe 16 të tjera, në fitoren 119-109 jashtë fushe. Pas kësaj fitoreje, Hjustoni është i 5-ti në Perëndim me 14 fitore e 7 humbje, ndërsa Toronto në vend të katërt në Lindje me 15 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al