Pavarësisht moshës nuk dëshiron të dalë në pension. Ljuis Hamiltonit i duket vetja si gjithmonë një luftëtar, një konkurrues për tituj, ndaj edhe nuk ngurroi të rinovonte kontratën me Mercedesin. Kampioni i botës në fuqi në Formula 1 firmosi një akord të ri 2-vjeçar, që do ta mbajë në skuadrën gjermane deri në 2023. Pati shumë diskutime për vonesën në arritjen e mirëkuptimit, dhe diferencat financiare mes palëve. Hamilton hoqi dorë nga pretendimi për 50 milionë paundë stërlina në sezon, për shkak edhe të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ndërsa për dy sezone do të përfitojë gjithsej 80 milionë paundë stërlina.
Në moshën 36-vjeçare, piloti anglez ka arritur thuajse gjithçka në karrierë, me gjasë më shumë sesa ëndërronte kur e nisi këtë rrugë në Formula 1. Ai ka barazuar Mikael Shumaherin me 7 tituj botërorë, si dhe ka rekordin e fitoreve në gara dhe në provat zyrtare. Gjithsesi, këtë vit gjendja është e ndryshme, pasi Hamiltoni dhe Mercedesi po sfidohen fort nga një pilot 23-vjeçar si Maks Verstapen, në makinën Red Bull. Holandezi kryeson renditjen e Botërorit me 18 pikë më shumë sesa kampioni anglez.
Sfidanti.al