Gjorgjeviç: Në fund, ne nuk patëm një trajtim të barabartë nga gjyqtarët

Trajneri i Serbisë, Aleksandar Gjorgjeviç, është bërë specialist për medalejt e argjendta, pasi, mbas humbjeve në finale nga SHBA në kampionatin botëror dhe Lojrat Olimpike, ai humbi edhe finalen e Eurobasketit. Në konferencën e shtypit mbas finales, ai dukej i zhgënjyer, por, megjithatë, e përshëndeti Slloveninë kampione të Evropës, si dhe nuk harroi që të fliste për gjykimin e ndeshjes finale.

“E uroj për fitoren Slloveninë që e meritoi medaljen e artë me të gjitha nëntë fitoret, pasi ka shumë kohë që nuk ka ndodhur që një ekip të arrijë deri te kjo medalje e artë, duke i fituar të gjitha ndeshjet. Në pjesën e parë, ne dolëm nga plani ynë dhe i lejuam sllovenët që të shënonin shumë pikë. Sidoqoftë, ata, në pjesën e parë, ishin bindshëm më të mirë se neve. Dragiçi shënoi gjatë pjesës së parë 26 pikë dhe ai e meritoi çmimin e lojtarit më të mirë të Eurobasketit të sivjetëm. Dua që t’i përshëndes edhe djemtë e mi që ishin të shkëlqyer në këtë ndeshje. Sidoqoftë, në minutat e fundit, ne nuk patëm një trajtim të barabartë nga gjyqtarët, por, megjithatë, unë nuk dua që ta nënvlerësoj suksesin e merituar të trajnerit Kokoshkov dhe të djemve të tij”, deklaroi Gjorgjeviçi.

Sfidanti.al