Mund të barazojë rekordin e madh të Grand Slemeve, dhe të jetë në një nivel me Rozher Federerin dhe Rafael Nadalin. Novak Gjokoviç arriti finalen e Uimbëlldonit, finalen e 30-të të Grand Slemeve në karrierë, dhe nëse fiton ndaj italianit Mateo Berretini, do të ketë 20 Çmime të Mëdha, ashtu si legjenda zvicerane dhe ajo spanjolle. Numri 1 i botës fitoi 3-0 me sete ndaj kanadezit me origjinë ruse, Denis Shapovalov, tri herë nga 7-5, në një gjysmëfinale të fortë, por ku u tregua më i zoti në pikët vendimtare. Kjo është finalja e 7-të e tij në Uimbëlldon, ku i ka fituar të 6 finalet më parë, dhe ku mund të synojë në të ardhmen rekordin e Federerit me 8 trofe. Në përfundim të ndeshjes, tenisti serb sikur shfryu një lloj dufi, një lloj zemërimi, dhe besohet se ka qenë edhe si çlirim (edhe pse i përkohshëm), por edhe si një përgjigje për kritikët. Edhe pas fitores në çerekfinale, ai u ngacmua nga gazetarët duke iu thënë “si ndihesh duke qenë i keqi, dhe duke qenë në ndjekje të Federerit e Nadalit”. Gjoko u zemërua dhe u përgjigj se nuk ka qenë kurrë i keqi, dhe se nuk ka menduar të ndjekë të tjerët, por të arrijë sukseset e tij.
Sfidanti.al