Stefën Kërri u rikthye dhe e lajmëroi këtë me zë të lartë. Dy herë kampioni i NBA-së në tri sezonet e fundit, e la më në fund pas dëmtimin, dhe dhuroi një paraqitje spektakolare pikërisht pranë ndërrimit të viteve. Basketbollisti me trup të imët mori rolin e protagonistit në përballjen që Golden Stejti e fitoi me shumë pikë në Arenën e saj, 141-128 ndaj Memfisit, në një ndeshje tipike amerikane, ku kryesor është spektakli.
Kërri realizoi 38 pikë në vetëm 25 minuta, duke shtuar 4 topa në tabela e 3 asistë. Kevin Durant, që kishte mbajtur barrën mbi supe në mungesë të Kërrit, pati një lojë më të qetë me 20 pikë, 5 topa në tabela e 9 asiste, ndërsa në festë morën pjesë edhe Klej Tompson me 21 pikë dhe Zaza Paçulia (lojtar i trajnerit shqiptar, Fatmir Cuka) me 17 pikë, 8 topa në tabela e 6 asistë. Për Memfisin nuk ishte mjaft spanjolli Mark Gasol (27 pikë, 6 topa në tabela), dhe Golden Stejti kampion kryeson Konferencën Perëndimore me 29 fitore e 8 humbje, duke qenë ekipi më i mirë i NBA-së.
Punët nuk po shkojnë mirë për Lebron Xhejmsin, pasi Klivlendi humbi dhe është vetëm në vend të tretë në Lindje. Lebron shënoi 29 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 6 asiste, vodhi 2 topa dhe bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve, ndërsa u lodh sërish shumë, duke qenë në fushë për 37 minuta. Të paktën tre shokë e ndihmuan, Kevin Lov (20 pikë, 10 tabela), Xhef Grin (22 pikë) e Tristan Tompson (11 pikë), por mungesa e talentit Tomas për shkak dëmtimi, po e penalizon keqaz skuadrën nënkampione. Juta Xhaz pati lojë më kolektive dhe fitoi 104-101 duke triumfuar në lojën e nervave në periodën e katërt.
Ishte edhe mbrëmja e Kristaps Porzingisit në fitoren e Nju Jorkut në fushën e Nju Orlinsit, me letonezin që realizoi 30 pikë në 31 minuta, pati 7 topa në tabela, 3 asistë, 2 vjedhje dhe 2 bllokime gjuajtjesh. Në të kundërt, nuk i shkoi mbarë San Antonios që u mund në fushën e Detroitit, 93-79.
Sfidanti.al