Ibrahimovic, sa vit i errët 2017; dëmtohet në gju, 1 muaj jashtë fushave

2017 ishte një vit krejtësisht i errët për Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez i Mançester Junajtid pësoi një tjetër dëmtim në gju në ndeshjen me Southampton dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 1 muaj, lajm që u bë i ditur nga vetë trajneri Zhoze Murinjo.

‘Ibrahimovic u dëmtua tek i njëjti gju ku u operua-tha Murinjo-nuk do të luajë për një muaj. Është një problem shumë i madh sepse, Ibrahimovic është 36 vjec’.

Zlatan Ibrahimovic u rikthye në fushat e lojës në 18 nëntor në ndeshjen me Njukasëll, pas një mungese 7 mujore pëe shkak të dëmtimit në ligamentet e gjurit të djathtë. Rikthimi i tij në fushë ishte i parakohshëm duke qenë se për të parashikimet ishin që të bashkohej sërish me Djajtë e Kuq në fillim të 2018. Zlatan Ibrahimovic  u dëmtua në 2 maj në ndeshjen me Anderlehtin për Europa League, por Murinjo shpeshherë kishte deklaruar se suedezi do të kthehej në fushë para mbylljes së vitit 2017, dhe ashtu ndodhi. Por tani Ibra është i detyruar që të frenohet sërish për të mbyllur jo mirë , një vit vërtet të errët për të.

Sfidanti.al