Donçiç-Rodrigez, ish-shokët tek Reali ndezin fillimin e Euroligës

Dy ish-shokë skuadre ishin më të dalluarit në ndeshjet e para të Euroligës në basketboll për meshkuj. Luka Donçiç dhe Sergio Rodrigez dolën të papërmbajtshëm për ekipet e tyre, Realin dhe CSKA-në e Moskës.

Donçiç shënoi 27 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe i vodhi 4 topa kundërshtarit, duke vazhduar formën shumë të mirë të sezonit të kaluar, por sidomos shkëlqimin e Europianit. Slloveni u ndihmua padyshim nga të tjerët, sidomos nga Gustavo Ajon që shënoi 16 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, me kontribut shtesë prej 4 asistësh, 3 vjedhje topash dhe 2 bllokime gjuajtjesh. Për fatin e Realit, në fushë ishin edhe Entoni Randolf dhe Felipe Rejes që ndihmuan në fitoren. Reali dominoi tri perioda nga katër gjithsej në Arenën e Stambollit, duk u rrezikuar vetëm një herë (kryesoi 62-60), por duke ia dalë me shifrat 88-74.

Ish-shoku i tij tek Reali, Sergio “Çaço” Rodrigez, po ashtu u dallua në ndeshjet e para të Euroligës. Pasi provoi NBA-në, Çaço është tani tek CSKA e Moskës që pati nevojë për çdo lloj ndihme që të fitonte ndaj Milanos në Rusi. Rodrigez shënoi 20 pikë, kapi 5 topa në tabela dhe shërbeu 4 asistë në suksesin 93-84 në prani të mbi 7 200 tifozëve në Pallatin e Sportit të Moskës. Milano kryesoi për një kohë të gjatë, madje edhe me +16 pikë, por CSKA doli tepër e fortë. Kampionia e Rusisë është një ansambël internacional, me Nando De Kolonë e Francës (19 pikë), të sapoardhurin amerikan Uill Klajbërn (15 pikë, 12 topa në tabela, 2 asistë, 3 vjedhje topi), Kori Higinsin po amerikan (21 pikë), me spanjollin Rodrigez dhe amerikanin tjetër Kajl Hajns.

Sfidanti.al