Ka clirim te skuadra e Ferrarit në Botërorin e Formula 1. Kokëkuqja italiane shënoi fitoren e parë në këtë sezon dhe këtë e bëri në pistën e SPA në Cmimin e madh të Belgjikës. Piloti nga Monako zhvilloi një garë përfekte edhe pse pati disa probleme me gomat në fundin e saj dhe në fund arriti të mbajë pas dy ‘monstrat’ e Mercedes, Ljuis Hamilton dhe Valteri Botës.
Për më tepër, Lëklerk shkruan edhe historinë te Ferrari pasi bëhet piloti më i ri i kësaj skuadre që fiton një garë të botërorit të Formula 1. Pas problemit teknik në Bahrein, krizës me gomat në Austri që i bënë të humbasë 2 gara praktikisht të fituara, për Lëklerk erdhi e treta e vërteta në Belgjikë ku ai më në fund shënoi fitoren e tij të parë në karrierë.
Lëklerk e nisi në mënyrë perfekte Cmimin e Madh të Belgjikës dhe e mbylli në po këtë mënyrë duke ungjitur në shkallën më të lartë të podiumit në fundin e saj. Pas pit stopeve ai u kalua nga Fetel, por më pas e rimori vendin e parë kjo edhe pas një urdhri të skuadrës që këtë radhë erdhi në favorin e Lëklerk që suksesin ia dedikoi 22 vjecarit Hubert që një ditë më parë humbi jetën në një aksident të frikshëm në Formula 2.
Në castet e fundit piloti nga Monako ndjeu të kishte pranë Hamiltonin, por në fund ai ia doli t’i rezistojë britanikut dhe të kalojë i pari në momentin e valëvitjes së flamurit me kuadrata me Hamiltonin që në fund u dorëzua të pranojë vendin e dytë, ndërkohë që Valteri Bottas plotësoi podiumin duke u renditur në vendin e tretë. Nuk shkoi më shumë se vendi i katërt, piloti tjetër i Ferrarit, Sebastian Fetel që pati probleme me gomat e mesme të makinës së tij duke u detyruar të luajë rolin e mbrojtësit të Lëklerk dhe të kontribuojë në fitoren e tij.
Krejtësisht për t’u harruar ishte kjo ditë për Maks Vershtapen që u bë viktimë e një kontakti me makinën Alfa Romeo të Raikonen duke i përplasur me muret mbrojtëse për ta braktisur garën që në xhirot e para të saj.
sfidanti.al