Nëse Partizani fitoi vetëm me një gol në Gjirokastër, duke treguar se të mëdhenjtë nuk e kanë të lehtë me “të vegjëlit” në Superligë, Kukësi nuk arriti të bënte as këtë. Skuadra që kryesonte renditjen pas dy javëve të para u ndal në “Loro Boriçi” të Shkodrës, nga Laçi në barazim 1-1. Jo vetëm kaq, por për pak nuk humbi, pasi u desh goli i Mustës në minutën e 87-të që, ekipi me shumë pretendime i trajnerit Duro dhe presidentit Gjici, të shmangte humbjen.
Kurbinasit, vërtet kishin zhgënjyer me rezultate në dy javët e para, por nuk ishin paraqitur aq keq me lojë, ndërsa nuk donte të pësonte humbjen e tretë. Starova mund të marrë frymë pak më lehtësisht dhe të punojë në dy javë pushim që nisin tani për shkak të kombëtares. Laçi kaloi në epërsi në minutën e 51-të me anë të Nuabuezes, atij që i shënoi edhe Skënderbeut. Kuksianët nuk u ndihmuan as nga hyrja e Abazajt në pjesën e dytë, ndërsa nuk i bënë punë emrat shumë të mirë në formacion si Obanor, Teqja, Kitanovski, Rroca, Etemi, Musta, Shkurtaj apo Gavazaj.
Sfidanti.al