Vetes i kanë thënë “atdheu i futbollit”, “zemlja košarke”, por duket se ky epitet nuk i shkon. Serbia dështoi që të kualifikohej për në Lojrat Olimpike, ndonëse kishte një skenar shumë të mirë, priste Italinë në Beograd. Të kaltrit, të nxitur ndoshta edhe nga kombëtarja e futbollit, fituan bindshëm në Sallën “Pionir” me shifrat 102-95, ndërsa nga vendasit nuk ishte lojtari më i mirë i sezonit të rregullt në NBA, Nikola Jokiç. Gjithsesi, pati yje të tjerë si Teodoshiç (kampion i Italisë me Bolonjën) apo Miçiç, veçse këta nuk shkëlqyen.
Italianët u treguan më skuadër dhe siguruan kualifikimin për në Tokio. Manion shënoi 24 pikë, Polonara pati 22 dhe Fontekio 21, ndërsa në Olimpiadë mund të jetë edhe Galinari. Nga serbët, më të dalluarit ishin Anxhushiç me 27 pikë, Petrushev me 22 dhe Dobriç me 17. Mediat serbe theksuan se kjo ishte hera e tretë në 4 edicionet e fundit që kombëtarja nuk kualifikohet në fazën finale të Lojrave Olimpike. Mbetet vetëm Rio 2016 kur serbët arritën finalen.
Kroacia gjithashtu u eleminua, madje duke humbur që në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë, edhe pse luajti në fushën e saj në Pallatin e Sportit të Splitit. Në Arenën ku kanë shkëlqyer Toni Kukoç, Dino Raxha apo Velimir Perasoviç, Gjermania triumfoi 86-76, pavarësisht se për kroatët shkëlqei ylli i NBA-së, Bojan Bogdanoviç me 38 pikë. Gjermania u kualifikua pas fitores në finalen me Brazilin. Duket se lavdia e basketbollit në këtë rajon ka mbetur në kohën e ish-Jugosllavisë, ndonëse vazhdoi për inerci edhe disa kohë. E vetmja skuadër ish-jugosllave që triumfoi ishte Sllovenia e udhëhequr nga Luka Donçiç, që arriti një fitore bindëse në Kaunas ndaj Lituanisë 96-85. Donçiç shënoi 31 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 13 asiste, pra pati një tripëll dabëll. Sllovenia shkon për herë të parë në Olimpiadë.
Sfidanti.al