Besohet se e ardhmja është e mirë, por duhet ta vërtetojë. Në moshën 22-vjeçare, Xhakomo Vrionit i është dhënë mundësia për t’i bërë vend vetes në futbollin e rëndësishëm. Sulmuesi, që është pjesë e grupit të kombëtares shqiptare, është huazuar nga Juventusi tek Svarovski Tirol në Austri. Do të luajë në Bundesligën austriake, ku shpreson të bëhet i rëndësishëm e të kthehet sa më shpejt në Serinë A. Vrioni humbi plot 23 ndeshje sezonin e kaluar për shkak dëmtimi, një pengesë shumë e madhe, ndërsa ishte thirrur nga trajneri Pirlo edhe për t’u stërvitur me ekipin e parë të Juventusit, me Ronaldon, Moratën apo Dibalën.
Vrioni ishte për 2 vjet pjesë e Sampdorias, duke luajtur për ekipet e të rinjve dhe të Shpresave, e duke u dalluar, sidomos me 10 gola në 21 ndeshje në sezonin 2016-2017. Edhe pse i ri, shqiptari ka provuar Serinë C, Serinë B, Kupën e Italisë, si dhe është grumbulluar nga Pirlo për një ndeshje të Serisë A sezonin e kaluar. Sulmuesi është aktivizuar për dy ndeshje në kombëtaren shqiptare nga trajneri Edi Reja, ndërsa ka luajtur 8 ndeshje për Shqipërinë U21, duke shënuar edhe 2 gola, njërin ndaj Italisë dhe njërin ndaj Kosovës.
Sfidanti.al