U luajt në Pallatin e Sportit në Madrid, por fituese doli skuadra katalanase. Edhe pse Reali ishte pritës, sërish Barça fitoi 89-75 ndeshjen e parë të plej ofit në Ligën Spanjolle të basketbollit. Perioda e parë ishte e vendasve, 20-15, që u mbajtën deri në pushim, por perioda e tretë përcaktoi fatin e ndeshjes, pasi katalanasit e fituan 29-16, duke arritur avantazhin 62-52.
Valter Tavarez ishte më i miri për Realin me 16 pikë, 11 topa në tabela, 1 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje, shifra të denja për NBA-në ku luhet 48 minuta, jo si Europa që e ka minutazhin 40. Gjithsesi, ai ishte shumë pak, ndonëse ndenji në fushë 30 minuta. Reali ka pasur shumë lëvizje këtë sezon, i janë larguar lojtarë të rëndësishëm si Kampaso. Kasër shtoi 12 pikë, Rudi Fernandez pati 10, Sergio Jul 8, ndërsa Abalde e Alosen shtuan nga 7 pikë.
Barcelona dihej se ishte më e fortë, edhe pse finalja e parë e plej ofit në Ligën Endesa luhej në Madrid. Kori Higins, kampion i dikurshëm i Euroligës me CSKA-në e Moskës, dominoi ndeshjen me 26 pikë, duke luftuar shumë në sulm e në mbrojtje. Dejvis shënoi 13 pikë, Kalathes 12 pikë, 4 topa në tabela e 4 asistë, Mirotiç 9 pikë e 7 topa në tabela, ndërsa Pau Gasol luajti 16 minuta duke shënuar 8 pikë e duke kapur 8 topa në tabela.
Sfidanti.al