Në 29 maj u bashkua me ekipin kombëtar. Kristian Eriksen u bë pjesë e Danimarkës që synoi dhe ende synon të përsërisë lavdinë e vitit 1992 kur doli kampione e Europës. Gjithsesi, vetëm disa ditë pas atmosferës gazmore kur lojtarët bënë foton zyrtare të skuadrës para turneut, gjendja ka ndryshuar plotësisht. Erikseni 29-vjeçar rrezikoi seriozisht jetën ndërsa u rrëzua në fushë në fund të pjesës së parë të ndeshjes së Europianit ndaj Finlandës.
Fati, por edhe ndërhyrja e menjëhershme e kapitenit Simon Kjer, e më pas ajo e stafit mjekësor danez, arritën të shmangnin më të keqen. Mjeku i Danimarkës, Morten Bëzen, tregoi në konferencën e shtypit më pas se ishte mrekulli që lojtari arriti të mbijetonte. “Ai u kap fort pas jetës, – tha doktori, – fillimisht pulsi punonte edhe pse ngadalë, por pastaj u shua dhe ne patëm frikë për më të keqen”. Heroi ishte pikërisht Kjer që u soll si kapiten i vërtetë, duke i nxjerrë gjuhën shokut, duke i bërë frymëmarrje artificiale, dhe duke ngushëlluar më pas gruan e tij, Sabrina Kvist.
Tifozët në stadium brohoritën emrin e tij, me finlandezët që thërrisnin “Kristian” dhe danezët që përgjigjeshin “Eriksen”. Tifozët po ashtu shprehën gjithë emocionet që iu shkaktuan nga kjo dramë, si dhe kritikuan vendimin e UEFA-s për të vazhduar ndeshjen. Akuzat në rrjetet sociale ishin tepër të ashpra, duke e cilësuar UEFA-s si një organizatë që interesohet vetëm për fitimet dhe jo për shëndetin apo emocionet e lojtarëve.
Kësaj i mëshuan në studion e BBC-së, opinionistë të sotëm si Fabregas, Lineker apo Riçards, që ishin shumë të prekur nga ajo që ndodhi, dhe që thanë se “futbolli nuk ka rëndësi në këtë moment”. Ish-portieri i Çelsit, Asmir Begoviç, reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar se për shkak të fitimeve, futbollistët profesionistë janë të mbingarkuar dhe kjo po i rrezikon jetën.
Tifozë të shumtë u mblodhën përpara spitalit në Kopenhagen, në orët e vona të mbrëmjes duke treguar mbështetjën dhe interesimin për gjendjen e futbollistit. Për fat ajo është përmirësuar. “Këtë mëngjes ne folëm me Kristian Eriksenin, që përshëndeti ekipin, – njofton Federata Daneze, – gjendja e tij është e stabilizuar, por ai vazhdon të jetë i shtruar në spital për analiza të mëtejshme”. Gjithsesi, Eriksen rrezikon të mos luajë më futboll, dhe gjithçka do të varet nga diagnoza përfundimtare e mjekëve.
Sfidanti.al