Barcelona fiton Championsin e hendbollit për meshkuj, “La Decima”!

E mbylli sezonin në mënyrë më spektakolare të mundshme, duke u rikthyer në majë të Europës. Barcelona mund të mburret se këtë sezon ka fituar dy Champions, dhe pas asaj në futbollin e femrave, ja ku erdhi edhe suksesi në hendboll për meshkuj. Skuadra katalanase triumfoi 36-23 në finalen ndaj Alborgut të Danimarkës, duke mos e diskutuar suksesin. Ajo arriti 20 fitore në 20 ndeshje këtë edicion të Championsit, dhe po ashtu pati shifrën e pabesueshme të 60 fitoreve në 60 ndeshjeve, në Spanjë dhe në Europë. Asnjë skuadër, të paktën këtë vit, nuk e ka arritur një gjë të tillë. Gomez  ishte më i miri me 9 gola në finalen e luajtur në Këln të Gjermanisë, ndonëse nuk ishte titullar.

Ky ishte titulli i 10-të i Barcelonës në Ligën e Kampionëve në hendboll për meshkuj, dhe i pari që nga viti 2015. Katalanasit janë skuadra me më shumë trofe në këtë sport, dhe në këtë garë, duke i ngjarë Realit të Madridit në futboll që ka 13 Champions, dhe po Realit të Madridit në basketboll, që ka 12 Euroliga (plus Kupat e dikurshme të Kampionëve). Barça shënoi gjithsej 722 gola në 20 ndeshje, me mesataren mbi 36 gola për ndeshje, duke pasur diferencën më të mirë të golave në Europë, +159.

Sfidanti.al