Në këtë kohë pandemie, kur treçerekun e javës je i detyruar ta kalosh i mbyllur në shtëpi, nuk ka lajm më të mirë, se ai që ke lekë për të marrë. Futbolli shqiptar do të përfitojë më shumë se 4 milionë euro nga UEFA dhe komuniteti që ka lidhje me këtë sport u ngrit në këmbë, sikur papritur një postier t’i kishte sjellë tek porta e shtëpisë çekun që të ngrin gjakun. Ndërsa reagimi i FSHF-së ishte i menjëhershëm, duke filluar një “tiki-taka” tashmë të përvetësuar mirë, me qëllimin për të ulur me këmbë në tokë optimistët. U tha se ky ishte thjeshtë fondi HatTrick që përdoret për investimet dhe jo për të shkuar për qokë në raste sëmundjesh, megjithëse presidenti Ceferin, nëpërmjet një letre kishte sqaruar, se tashmë është në dorë të federatave destinacioni i zarfit miliona eurosh.
Por këtu ka mjeshtra, të cilët u sulën për të na sqaruar, ngaqë nuk dimë asgjë, se më shumë se gjysma e këtij fondi është shpenzuar paradhënie, për hir të investimeve të kushtueshme, ndërsa një pjesë tjetër do të përdoret për të vënë në punë betonieret që kanë ndalur zhurmën e tyre të këndëshme. Flitet se pjesën më të madhe të fondit e ka gëlltitur stadium i Kukësit, ndërsa futbolli që po pret me ankth ka shumë mundësi të dorovitet me nga një pagë tjetër 300 mijë lekëshe. Dhe pikërisht këto historitë e sajuara me sakrifica dhe aplikime për kredi, me qëllimin për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë të këtij sporti janë sigurisht më të dhimbshme, ta krijojnë më mirë portretin e babait të shtëpisë.
Ndërsa për t’u entuziazmuar si i çmendur ka plotë lajme të tjera, të servirura po nga FSHF. Qenka së shpejti një festival i madh i arkitekturës, që ka nominuar për çmimin e madh stadiumin tonë të ri, madje për rastin tonë kanë vendosur t’i thyejnë të gjitha rregullar dhe të japin dy Grand Prix njëherësh. Një për kullën mahnitëse që i ka themelet në një nga kornet e “Air Albania” dhe një për impiantin që si markatë nuk ka të sharë, përveçse fushës që nuk po i mbin dot bari. Në fakt, pjesa sportive në atë “stadium” është më e parëndësishmja, ndërsa zarfat e ngjashëm që kanë mbërritur në të njëjtën adresë, sigurisht që kanë kuptim…
sfidanti.al