Andrea Anjeli, 10 vjet presidenti i Juventusit, tradita vazhdon!

Historia filloi që në fund të shekullit të 19-të, kur stërgjyshi i tij, Xhovani Anjeli, ishte ndër themeluesit e FIAT-it. Andrea Anjeli, presidenti i sotëm i Juventusit, është pasardhës i kësaj familjeje tepër të njohur të sipërmarrjes në Itali, që e nisi aventurën e saj industriale në 1899 me kompaninë “Fabrika Italiana Automobili Torino”, shkurt FIAT. Bashkë me markën e njohur, Anjelët patën edhe Ferrarin dhe Juventusin.

Tradita vazhdoi me nipin e Xhovanit, avokatin e njohur Xhani Anjeli (vdiq në 2003), që mori komandën në 1966 për të krijuar mes të tjerave një Juventus të madh. Pasardhësi i familjes, Andrea, e mori Juventusin në 2010, ndërsa ishte nip i Xhanit, djalë i vëllait të tij, Umberto Anjelit, që vdiq në 2004. Andrea Anjeli u bë president në moshën 34-vjeçare në fillim të majit 2010, pra 10 vjet më parë, dhe ardhja e tij solli ndryshimin e fatit të klubit. Lajmërimi u bë që në 28 prill nga drejtuesi i FIAT-it, Lapo Elkan. Që nga ajo kohë, Juvja ka fituar 8 tituj radhazi në Serinë A, edhe pse nuk e ka fituar dot Championsit (dy finale të humbura, në 2015 me Barcelonën dhe në 2017 ndaj Realit).

Edhe pse ka kaluar përmes akuzave, skandaleve dhe gjyqeve, ashtu si edhe stërgjyshi i tij, Xhovani, sërish suksesi i Andreas është respektim i traditës së familjes së tij. Jo gjithnjë Anjelët kanë qenë presidentë të Juventusit, Umberto ishte i tillë vetëm në 1956-62, ndërsa Avokat Xhani ishte më herët, në 1947-1955. Andreas i duhen edhe dy vjet për të kaluar stërgjyshin, ndërsa rekordmen është Xhampiero Boniperti në vitet 1971-1990.

Sfidanti.al