Ky është paralajmërimi i presidentit të Ligës Profesioniste iberike, Havier Tebas. Lajmi për zerimin e sezonit të topkëmbës në Francë, shkaktoi një lëkundje sizmike nëpër kontinent, sidomos tek ato vende që ende shpresojnë të përfundojnë edicionin, të tillë si Anglia, Spanja, Italia apo Gjermania. Tebas reagoi menjëherë i shqetësuar dhe me një nënvizim. “Nëse ne nuk kthehemi për të luajtur këtë sezon, atëherë futbolli profesionist mund të shuhet, – ishin fjalët e tij, – nëse sektorë të rëndësishëm ekonomikë nuk rifillojnë në një mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar ata mund të zhduken. Kjo mund të na ndodhë ne”.
Një shprehje thotë se “sa më lart të ngjitesh, aq më shumë vritesh kur rrëzohesh”, dhe në La Liga kanë superfuqi të tilla si Realin e Madridit e Barcelonën, që nuk kanë të ngjashëm në asnjë vend tjetër, madje ndoshta as të tillë si Bajerni, Juventusi apo Mançester Junajtidi nuk mund të krahasohen. La Liga mbetet me mendimin se sezoni mund të rifillojë me 4 faza, e para prej të cilave të jetë kthimi në stërvitje. “Nuk e kuptoj se përse nuk mund të luajmë futboll pa spektatorë dhe me masa sigurie?” – pyet si me protestë Tebasi.
Sfidanti.al