Vjet e dinim për Kukësin kampion, mos na e prishni për Partizanin!

Sa herë që shfaqet në studio presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kuptohet edhe më qartë se ai edhe ekipi i tij kanë zgjedhur stile të ndryshme në lojën që bëjnë. Spektaklin e ka marrë presidenti, ndërsa ekipit i ka lënë stilin e modës së shkuar, pragmatizmin. Kjo është arsyeja që “loja” e Gjicit në ekran, sidomos kjo e ditëve të fundit, u ndoq me një frymë për shkak të batutave dhe humorit pickues. E kush tjetër veç Partizanit, mund të shigjetohej i pari. Kur të gjithë falen në kishën e futbollit, duke thënë se ky është viti i Partizanit, ashtu siç e dinim, qysh në fillim, se vjet ishte viti i Kukësit, presidenti Gjici hedh një gurë për të vrarë dy zogj. I bën një nder Partizanit duke i thënë se është vetëm fillimi i përrallës së kampionatit, duke zgjedhur fjalët e rivalit të tij, presidentit Takaj të Skënderbeut, që thoshte se Kukësit i mbajnë gjunjët deri në muajin shkurt. Aq do të mbajnë edhe gjunjët e Partizanit? E ka thënë Safeti , një president që kur flet për gjunjët, mjerë ata që besojnë vetëm tek gjunjtë e futbollistëve….
Ndaj, si një sulmues që mezi pret topin e bekuar për të bërë rofeshatën, edhe Gjicin kur i kujtojnë Moxhin e famshëm të Partizanit, duket sikur ka gati “rofeshatën”: Me Moxhin Italian Partizani mendoi se do të fitonte titujt me radhë, por Partizani e ka Moxhin e vet dhe quhet Olsi Rama..” Një gol i madh në portën e Partizanit, ndofta edhe si kompensim për ndeshjen e humbur me “demat”, ku për hir të së vërtetës, fatin e saj nuk e vendosën “moxhët” italianë apo shqiptar, por vetë futbollistët. Si do të reagojë Partizani kur Gjici nuk kursen as vëllain e shefit të skuadrës së tij politike? Thonë se të kuqve u kanë prerë gjuhën këtë sezon, as të mos merren me demonët e zyrave, por as me ata që duan të spiunojnë para kohe rrugëtimin drejt titullit…
Sfidanti.al