Vdiq apo nuk vdiq futbolli? E vranë Partizanin në Laç apo vrau veten…?

Ishte apo nuk ishte penallti ajo kundër Partizanit? Duket sikur është dilemë, por , me gjasa, është trilemë. Ajo që bëri më shumë bujë se vetë penalltia imagjinare, ishte fraza e trajnerit Gega se “ndeshja vdiq pas atij momenti”. Pas kësaj, të gjithë mbetën peng në një gjatësi vale 11 metra, duke u robëruar pas fjalëve të trajnerit Gega. Duket shumë interesant fakti se pas penalltisë së shpikur me kurajë atipike nga arbitri Kola, askush nuk përmendi faktin se Partizani e kishte vrarë veten para se ta vrisnin nga 11 metra. I ka shoqet e rralla kjo ndeshje, sidomos për nga shpërfillja e lojës sulmuese, ndersa shikoje futbollistët e Partizanit që bënin shumë gjëra në fushë, por vetëm një gjë nuk bënin dot.. të sulmonin portën e Laçit.
Humbjet nuk janë gjithnjë të hidhura ashtu siç reklamohen . Dhe kjo e Partizanit , seç kishte një pamje tjetër. Ndofta për kozmetikën e saj ndihmoi edhe ajo që ndodhi në Durrës me Kukësin. Ishte mbresëlënës edhe fakti që trajneri Gega, zakonisht qortues strikt ndaj futbolllistëve të tij kur humbasin pjellorinë në fushë, sidomos pas një 90 minutëshi rekord nga shterpesia , tha se diferenca në pikë me ndjekësit mbeti e pandryshuar. Atëherë le të thërrasim ..rroftë klasifikimi, le të argëtohemi me pikët, sepse futbolli qënka i bukur edhe kur nuk ..sulmon!

Sfidanti.al