Zhoze Murinjo ishte mik nderi në lozhën VIP në ndeshjen e fundit mes Lilit dhe Monpeljes (0-0) që u luajt në kuadrin e Ligës së 1-rë franceze dhe ky ishte një rast i mirë për gazetarët francezë që t’i merrnin atij ndonjë prononcim për shkarkimin si trajner i Mançester Junajtidit. Një gazetar i mediumit “Bein Sports” e pyeti “Specialin” që ai të komentonte ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve mes Junajtidit e PSZH-së dhe papritur Murinjo zbuloi se ai nuk e kishte parë këtë ndeshje?!
“Nuk mund të jap ndonjë mendim, sepse nuk e pashë atë ndeshje. Unë, në fakt, e shoh Junajtidin herë pas here, por jo kësaj here, sepse preferoj të shoh ndeshje të ligave të tjera. Në Premier Ligë unë, pak a shumë, i njoh të gjithë lojtarët, kështu që mendoj se për mua ligat e tjera janë më interesante”, tha Murinjo, duke vazhduar më tej:
“Unë mund ta shoh veten si trajner në Ligën e 1-rë franceze, pasi jam një njeri që dua të provojë përvoja të reja dhe të njohë kultura të reja. Puna në një kampionat, ku nuk kam qenë ndonjëherë, do të ishte diçka fantastike”, tha Murinjo.
Sfidanti.al