Mauro Ikardi i ka mërzitur tifozët e Interit, ndërkohë që atij iu hoq shiriti i kapitenit dhe ai nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit. Në ndeshjen që Interi mundi Sampdorian, Ikardi ishte në tribunë bashkë me të shoqen e tij, Vanda Nara. Kur fytyra e tij doli në ekranin e madh të stadiumit, anekënd stadiumit jehuan fërshëllima, ndërsa u dëgjuan edhe thirrje: “ Ikardi, tradhtar, ik nga Interi”!
Ikardi, karrierën e të cilit e menaxhon bashkëshortja e tij, Vanda, i keqësoi marrëdhëniet me klubin, mbasi ai refuzoi që të nënshkruante me të vazhdimin e kontratës që skadon më 2021, ndërkohë që pretendohet se vetë futbollisti dhe Vanda e kërcënojnë klubin interist me largimin e tij.
Ky futbollist argjentinas ka ardhur tek Interi më 2013, ka luajtur në 210 ndeshje dhe ka shënuar 122 gola. Tensionimin e marrëdhënieve mes Ikardit dhe Interit po përpiqen ta shfrytëzojnë disa klube që janë të interesuar për të, si Reali i Madridit, Juventusi dhe Çelsi.
Sfidanti.al