Inter, të duhet një Murinjo ose Marota për t’ia hedhur Juves!

Mauro Ikardi është “plaçka” më e fundit për të futur në sherr dy klube që rrallë kanë qenë në paqe, si Interi dhe Juventusi. Mjaftoi një deklaratë e Uanda Narës, që “Interi deshi ta kalonte Mauron tek Juvja” për të nisur një seri të re në telenovelën e vjetër. Drejtuesi i Juventusit, Paratiçi, u përgjigj duke thënë se “ne thjesht informuam Interin se nëse ata do ta largonin Ikardin, ne do të ishim të interesuar”. Kjo, besohet se mjaftoi që të prishej ekuilibri brenda skuadrës zikaltër, me kapitenin që ishte me mendje të ngritur.

Nuk vonoi përgjigja e Bepe Marotës, që lëshoi “breshërinë e tij”: “Nëse Juvja kërkon Ikardin, atëherë Interi kërkon Dibalën, fjalët e Paratiçit janë krejtësisht jashtë normales”. Marota i dha një përgjigje edhe kritikave të ish-pronarit dhe ish-presidentit, Masimo Morati, që deklaroi se nuk e kishte kuptuar vendimin e klubit për t’i hequr Ikardit shiritin e kapitenit. “Ka përfunduar epoka e drejtimit nga ana e presidentëve miliarderë, – ishin fjalët e Marotës, – sot klubet janë një sipërmarrje, një biznes, dhe ne morëm një vendim normal, që duhej marrë”.

Ky debat të kujton veprimet e Moratit kur ishte president i Interit, dhe nuk harrohet kalimi i Fabio Kanavaros tek Juvja, me zikaltërit që morën portierin e tretë të bardhezinjve, Fabian Karini. Mbahen mend kur i ikën nga duart Pipo Inzagi apo Pirlo, ndërsa veprimin më të bukur për Interin e bëri Zhoze Murinjo. Në 2009, i dha Barcelonës Zllatan Ibrahimoviçin, i mori 50 milionë euro si dhe Samuel Etonë, që u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit të tripletës, në 2010.

Tifozët e Interit nuk harrojnë telefonatën e përgjuar të juventinit Luçiano Moxhi, që fliste me Kanavaron dhe i thoshte “thjesht bëj sikur je i mërzitur tek Interi, dhe kështu do të të lëshojnë, do të të marr unë”. E pra, duhet ndonjë Murinjo apo Marota i sotëm, që zikaltërit të mos bëjnë gabimet e dikurshme.

Sfidanti.al