“Demi” në horoskop është një shenjë e bekuar, kurse “Demi” në futbollin tonë është një shenjë që nuk honepset dot nga drejtuesit e futbollit, aq sa të gjithë zyrtarët në FSHF janë urdhëruar që nëpër zyra të mos veshin rroba me ngjyrë të kuqe. Kjo e fundit, Asambleja e Futbollit, ka dalë nga shinat e festës tradicionale, ku tregonin me zell aq shumë gënjeshtra, sa edhe 1 prilli e kishte zili Kongresin e Topit. Këtë herë ishte ndryshe dhe nuk kishte shans tjetër se si mund të ndodhte. Disa presidentë rebelë as nuk dënjuan të ishin prezentë: Demi i Partizanit, Hasanbelliu i Teutë dhe Idrizi i Flamurtarit. Tre” moskëtierët” që i kanë prishur gjumin, dhe më shumë, presidentit Duka me akuzat e tyre historike. I pari do të mbahet mend se zbuloi trukimin financiar që i bëhej fondit të Solidaritetit, i cili prej vitesh nuk mbërrinte në arkën e klubeve. I dyti, në ditët më të lumtura kuqezi, kur të gjithë festonin kualifikimin e artë për në Europian, nuk do të harrohet për deklaratën e fortë ndaj magjistarit kualifikues. I treti, ai që veshi me çorape grash të madhin dhe të voglin e FSHF-së, aq sa edhe minus 6 pikë për Flamurtarin,po duken si bonbone për shefat e keqzemëruar.
Por, ata që ishin prezent në Asamble, duhen përgëzuar se kjo e fundit nuk mund të quhet një lojë e trukuar në mënyrë kolektive. Partizani, me anë të Genc Tomorit, preku temën që konsiderohej e ndaluar atë të trukimeve, e cila vetëm sa të flitej me zë të ulët, lëre pastaj ta plasësh mu në sy të botës. Një temë që po të prekej vite më parë, Genc Tomorin do ta nxirrnin nga salla me shkelma, por ka fatin se në keto momente jemi të dhjerë nga dënimi në Europë, edhe pse krenar ngaqë presidenti do të futet vetë ..në Europë.. Në Asamble nuk u tha edhe një sekret “i vogël”, ngaqë akoma nuk jemi mësuar me të vërteta të forta, por, në këto javë, kur zoti Duka vazhdon me sukses fushatën për të hyrë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, të gjithë presidëntët, me të madhin në krye, janë vënë nën përgjim nga UEFA , si kurrë më parë. Prandaj, do të mbahet mend çasti pikant kur presidenti në fjalën e tij në Asamble, na dha zemër të gjithëve kur zbuloi fillesën e keqe se “ trukime ka patur edhe në kohën e presidentit Papadhopulli”. Sikur t’i ketë dëgjuar Zoti i futbollit keto fjalë, do të ketë thënë: ” Të kemi lënë të bësh ç’të duash me futbollin, por me Miço Papadhopullin.. ç’pate xhanëm!”
Sfidanti.al